Një mjek kujdestar në Leposaviq është intervistuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”, pas një rasti të vdekjes së dyshimtë.
Rasti është raportuar më 9 shtator, rreth orës 10:50, në rrugën “Dositej Obradoviq”, pasi policia kishte marrë informacione për një person të gjetur pa shenja jete.
Sipas policisë, familjarët kanë deklaruar se viktimën, M.M., të lindur në vitin 1997, e kishin gjetur pa shenja jete rreth orës 07:00.
“Mjeku kujdestar kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte konstatuar vdekjen e viktimës, mirëpo për rastin Policia nuk ishte njoftuar nga stafi mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë hetimeve, policia ka marrë informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe kishte përdorur medikamente kundër depresionit.
Mjeku kujdestar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.
Rasti është duke u hetuar.