Ambasada e Iranit në Londër ka mohuar çdo lidhje të Iranit me pesë të arrestuarit në afërsi të bazës ajrore britanike RAF Fairford.
Në një deklaratë, ambasada iraniane i ka cilësuar si “të pabazuara dhe dashakeqe” spekulimet e publikuara nga disa individë dhe media britanike, të cilat kanë tentuar ta lidhin Iranin me arrestimet.
“Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Londër i mohon kategorikisht dhe dënon fuqishëm spekulimet e fundit të pabazuara dhe dashakeqe të publikuara nga disa individë dhe media britanike, që përpiqen ta lidhin Iranin me arrestimin e pesë të dyshuarve në afërsi të bazës RAF Fairford”, thuhet në deklaratë.
Ambasada ka pretenduar se përhapja e këtyre spekulimeve, veçanërisht pas asaj që e cilëson si “akte kriminale agresioni” nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndaj popullit iranian, shërben vetëm për të nxitur atë që e përshkruan si “propagandë iranofobe” në Britani.
Në fund, ambasada ka thënë se Irani “rezervon të drejtën të ndërmarrë masat e duhura ligjore”, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e vendit dhe qytetarëve iranianë në përgjigje të narrativave mediatike që i konsideron mashtruese dhe dëmtuese.