Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, teksa kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Kurti ka thënë se aktualisht nuk ka një emër të ri për president, por është shprehur optimist se partitë politike mund të arrijnë një dakordësi për të shmangur një krizë të re institucionale.
“Ne nuk kemi diskutuar këmbim e shkëmbim as të pozicioneve as të qëndrimeve, por me vullnet të përbashkët në mundësinë që ekziston për rrugën përpara unë jam optimist që mund t’ia dalim. Garanci nuk ka, por vullnetin e kam parë, mundësinë e kemi identifikuar, dhe unë them le të ecim bashkërisht sepse kësisoj na duan qytetarët”, u shpreh Kurti.
I pyetur nëse ekziston ndonjë emër i ri për president, Kurti ka thënë se një emër i tillë nuk është diskutuar deri më tani.
“Nuk kemi emër të ri ose tjetër, nëse ky do të jetë rasti në të ardhmen natyrisht që do të njoftoheni”, tha ai.
Kurti është shprehur optimist se presidenti mund të zgjidhet deri më 6 tetor, kur përfundon afati për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sipas tij, optimizmi është rritur pas miratimit të Deklaratës së përbashkët në Kuvend të hënën, e cila mori 99 vota për.
“Është e domosdoshme të kemi takime të reja. Do të kemi takime. Dhe shpresojmë që dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë më tej. Jam optimist se e kam parë të hënën. Nuk do ta kisha këtë optimizëm nëse të hënën nuk do ta kishim miratuar me 99 vota për atë Deklaratë”, shtoi kryeministri.