Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, e ka dorëzuar në UEFA listën e lojtarëve për ndeshjen e sontme ndaj Izraelit.
Në listë figuron edhe emri i një prej lojtarëve kryesorë të mesfushës, Leon Avdullahu.
Avdullahu është rikthyer në grumbullimin e “Dardanëve”, vetëm një ditë pasi ishte liruar përkohësisht për arsye familjare. Mesfushori është përfshirë në ekip dhe do të jetë në dispozicion të Fodës për përballjen e sontme.
Ndërkohë, pikëpyetje mbetet gjendja e portierit Arijanet Muriq. Ai është në dyshim për ndeshjen për shkak të lëndimit që pësoi në përballjen ndaj Austrisë.
Jashtë ekipit për ndeshjen me Izraelin kanë mbetur Baton Zabërgja, Vesel Demaku dhe Leard Sadriu.
Në listë janë përfshirë Muharrem Jashari dhe Lindon Emërllahu.
Ndeshja Izrael – Kosovë zhvillohet sonte në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45, dhe i takon Grupit B3 të Ligës së Kombeve.