Dy shtetas iranianë janë akuzuar në Britani për përgatitjen e një sulmi terrorist që dyshohet se kishte në shënjestër komunitetin hebre në veri të Anglisë, në prag të Yom Kippur, ditës më të shenjtë në kalendarin hebre.
Policia britanike njoftoi të premten se Rahman Salehi, 35 vjeç, dhe Salam Ahmadyan, 36 vjeç, akuzohen për përgatitjen e kryerjes së një akti terrorist ose për ndihmën ndaj një personi tjetër për kryerjen e një akti të tillë, më ose para 20 shtatorit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Hetuesit kundër terrorizmit thanë se dyshohet që të akuzuarit kanë qenë në kontakt me një person të tretë jashtë vendit, i cili mund të ndodhet në Iran, në lidhje me planin e dyshuar.
Vicki Evans, koordinatore kombëtare e lartë për policimin kundër terrorizmit në Britani, i përshkroi akuzat dhe pretendimet si “jashtëzakonisht serioze”.
Policia britanike kishte njoftuar javën e kaluar për arrestimin e dy personave në kuadër të hetimeve për një sulm të dyshuar terrorist. Autoritetet thanë atëherë se kishin parandaluar atë që besonin se ishte një plan për të sulmuar komunitetin hebre në zonën e Mançesterit.