Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtari i Adem Jasharit, Xhevahir Geci, ka reaguar pas përdorimit të gazit lotsjellës ndaj protestuesve në Prishtinë.
Në një deklarim për Debat Plus, Geci ka thënë se në mesin e protestuesve ka fëmijë të dëshmorëve, si dhe persona që kanë marrë plagë gjatë luftës, ndërsa tha se përdorimi i gazit lotsjellës ua ka “përtërirë plagët”.
Geci tha se edhe vetë është prekur nga gazi lotsjellës gjatë protestës, duke thënë se për shkak të tymit ka rrezikuar jetën.
“Ka djem e vajza që janë fëmije dëshmorësh. E ka burra e gra që janë me plagë në trup. E sot për së dyti ose së treti Albin Kurti me Xhelal Sveclën na i përtëriu plagët. Unë kam marrë plagë personalisht nga gazi lotsjellës, edhe veç më kanë shpëtuar disa djem të ri se kam mund të vdes sonte prej tymi që asnjëherë se kam provuar, përveç ’89-tën… Xhelal Svecla na ka borxh, nuk e kemi provokuar. Kjo si falet”, ka deklaruar Geci.