Mister mbetet vdekja e një punonjësi të ri në laboratorin rus që studion sëmundjet e rënda

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se ende nuk dihet shkaku i vdekjes së një punonjësi të ri në një laborator në Rusi, i cili merret me studimin e murtajës dhe sëmundjeve të tjera të rënda.

Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara ka përmendur raportime fillestare, ende të pakonfirmuara, sipas të cilave punonjësi mund të ketë qenë prekur nga murtaja pneumonike. Kjo është një formë e rëndë e sëmundjes, më pak e zakonshme se murtaja bubonike, e lidhur me Vdekjen e Zezë që përhapi epidemi në Mesjetë.

Murtaja pneumonike prek mushkëritë dhe shkakton një formë të rëndë të pneumonisë. Ajo mund të përhapet nga një person te tjetri, por mundësitë e shërimit janë të larta nëse sëmundja zbulohet dhe trajtohet në kohë.

Në raportin e saj të parë të plotë për këtë rast, të publikuar në kuadër të njoftimeve për shpërthimet e sëmundjeve, OBSH-ja ka kërkuar që hetimet të vazhdojnë.
Sipas organizatës, autoritetet shëndetësore ruse kanë kryer më shumë se 5,500 teste, por nuk kanë gjetur prova për praninë e mikroorganizmave të rrezikshëm patogjenë.

“Nevojiten informacione shtesë klinike, epidemiologjike dhe laboratorike, përfshirë konfirmimin e diagnozës te punonjësi i ndjerë i laboratorit, për të rritur besueshmërinë e vlerësimit”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.
Organizata vazhdoi t’i referohej edhe një “rasti të dytë të pretenduar”. Në shpjegime me email për agjencinë Associated Press, OBSH-ja kishte thënë më herët se ky pretendim buronte nga raportime të dy mediave tabloide në Britani dhe Serbi, të cilat u referoheshin burimeve të paspecifikuara në Rusi.

Autoritetet ruse e kanë mohuar ekzistencën e një rasti të dytë.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika