A rrezikon Kosova të mbetet pa punëtorë pas 1 janarit?

Në “Rreth e Rrotull” të RTV Dukagjini, Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve ka vlerësuar se ikjet pas 1 janarit do të kenë pasojat e tyre. Megjithatë, ai thotë se historia ka treguar se pas ikjeve jashtë vendit, ka pasur edhe kthime

Kosova do të pësojë një goditje pas liberalizimit të vizave më 1 janar, ka vlerësuar Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve.

Në “Rreth e Rrotull” të RTV Dukagjini, ky i fundit ka vlerësuar se ikja, e madhe apo e vogël qoftë, do të lërë pasojat e saj. Megjithatë, ai thotë se historia ka treguar se pas ikjeve jashtë vendit ka pasur edhe kthime.

“Edhe në kohën më të izoluar ka pasur lëvizje të jashtëzakonshme të punëtorëve. Tash normalisht që do kemi një goditje prej janarit e deri në prill, atëherë po konsiderohet të jetë një fluks i jashtëzakonshëm i ikjeve, por nuk mendoj se do ketë 100 për qind ikje, sepse gjithmonë në vendet ku ka pasur liberalizim të vizave ka pasur ikje të madhe, por edhe një kthim. Sido që të jetë, pasojat i len. Ky është një dëm që do shkaktohet bizneseve, tashmë ka nisur edhe organizimet e punëtorëve të huaj që të vërshojnë vendin tonë”, ka deklaruar ai.

Donart Zeqiri nga “HR BEE ACADEMY” ka deklaruar se shpërnguljet janë normale kur ato ofrojnë alternativa më të mira jetese.

“Nuk është vetëm rroga…ndoshta është njëri prej faktorëve por jo ai determinues. Varet nga mirëqenia e familjes, edukimi, shkollimi, shëndetësia. Janë disa nga faktorët që ndikojnë në marrjen e vendimit për të ndenjuar ose jo në një vend. Përderisa kanë alternativa më të mira, normal që njerëzit kanë me u shpërngul, gjithmonë ka pas lëvizje dhe do të ketë lëvizje të vazhdueshme. Ajo çka është më problematike, ndoshta elita me njohuri të mira po ikin jashtë vendit”, ka deklaruar Zeqiri.

Ky i fundit vlerëson se ekziston mundësia për një çrregullim të tregut, gjersa thekson se fuqia punëtore e Kosovës nuk është edhe aq e madhe. Ai pajtohet me Vranicën kur bëhet fjalë për kthimin e një mase.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian (PE) miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 180- ditore.

Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika