Çka përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë udhëheqëse në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t'i ndihmonte Kosovës, ndër të tjera, në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit

Flamujt e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Pas lajmit për liberalizimin e vizave, Kosova ka marrë edhe një lajm të mirë për shtetin, dhe tani 24 marsi shënon fazën e parë të një procesi të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën e Kosovës për anëtarësim, kështu kishte njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Shtetet që votuan kundër anëtarësimit të Kosovës: Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Serbia, dhe Hungaria si surpriza më e madhe duke konsideruar faktin se kjo e fundit e njeh pavarësinë e Kosovës.

Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja abstenuan, ndërsa Armenia nuk votoi fare.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.

Pas këtij vendimi ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila falënderoi aleatët që votuan në favor të Kosovës.

“Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”, shkroi ajo në Twitter.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte arritje e madhe për Kosovën, për avancimin e vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Kështu e kanë vlerësuar politologët, të cilët thonë se ky anëtarësim tregon pjekurinë dhe vullnetin e shteteve për avancimin e proceseve demokratike.

Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Për Leonora Kryeziun, e cila drejton Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), përfitimet për Kosovën nga anëtarësimi në KiE janë të shumta.

Përfitimet dhe sfidat

Sipas Kryeziut, përpos qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), dhe përfaqësimit në Asamblenë Parlamentare, KiE ka mekanizma të shumta të cilat vendet anëtare i kanë në dispozicion për t’i shfrytëzuar dhe për t’u bërë pjesë.

Siç thekson ajo, marrë parasysh sistemin joefikas të drejtësisë e zvarritjen e rasteve, institucionet e vendit mund të përballen me raste të shumta të cilat nëse vërtetohet shkelje, Kosova do të duhej të paguante dëmshpërblim për secilin rast të shkelur.

Tjetër sfidë për Kosovën, ajo konsideron të jetë edhe mungesa e përvojës diplomatike dhe kuadrove profesionale për angazhim në një organizatë si KiE.

Mundësia që shtetasit e Kosovës ta sfidojnë drejtësinë kosovare, për politologun Belul Beqaj po konsiderohet të jetë përfitim i madh.

“Përfitimi më i madh është mundësia që çështja e lirive dhe të drejtave të përfundojë në Gjykatën e Strasburgut”, ka thënë ai.

Krahas përfitimeve, nuk do të mungojnë as sfidat me të cilat Kosova do të ballafaqohet në rast të anëtarësimit.

“Sfida kryesore do të lidhet me harmonizime të ligjeve”, shtoi ai.

Cilët janë​ hapat e radhë​s?

Venera Kabashi, juriste në Strasburg dhe njohëse e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në një postim në Facebook tha se ajo që pritet të ndodhë tash është emërimi i dy ekspertëve nga Byroja e Asamblesë Parlamentare.

Këta dy ekspertë do të hartojnë një raport përmbajtësor mbi Kosovën, me të cilin do të bëhet një vlerësim i “përshtatshmërisë së sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Evropës”.

Pastaj, Asambleja Parlamentare do të caktojë dy raportues nga Komiteti për Çështje Politike dhe Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut që do t’i përgatisin raportet e tyre mbi Kosovën.

Raporti i raportuesit nga Komiteti për Çështje Politike do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare.

Pasi të përfundohen këto analiza e raporte mbi Kosovën, ato do të dërgohen për diskutim e votim në seancë plenare të Asamblesë Parlamentare. Do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KE-së.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

E themeluar në vitin 1949, kjo organizatë ka realizuar fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Si organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçe të Këshillit janë, Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika