Dënohet me 3 vjet burgim ish-ministri Rikalo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, lidhur me akuzat për korrupsion. Ai është dënuar me 3 vjet burgim

3 vjet burgim për ish-ministrin Rikalo dhe 2 vjet e 6 muaj burgim për ish-sekretarin Halimi, të tjerët lirohen nga akuza

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Nenad Rikalo, duke e dënuar me 3 vjet burgim efektiv lidhur me akuzat për korrupsion. Kurse, ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi, u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv.

Në këtë rast, bashkë me ish-ministrin Rikalo dhe ish-sekretarin Halimi akuzoheshin dhe gjashtë zyrtarët të tjerë, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët u liruan nga akuza.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, ish-ministri Nenad Rikalo dhe ish-sekretari Kapllan Halimi, shpallen fajtorë për pikën 1 të aktakuzës. Me këtë, Rikalo dënohet me 3 vjet burgim efektiv, kurse Halimi me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Kurse, të akuzuarit Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Lindar Krasniqi, Shkelzen Morina, Leon Thaçi dhe  Albana Zeqiri, lirohen nga akuza, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën janë akuzuar sipas aktakuzës.

Për gjashtë të lartpërmendurit, paushalli gjyqësor bie në barrë të buxhetit të gjykatës.

Po ashtu, për Rikalon dhe Halimin, gjykata shpalli dënim plotësues- ndalimi i ushtrimi të funksioneve publike në kohëzgjatje prej tri vjetësh, pas mbajtjes së dënimit me burg.

Të akuzuarit Rikalo dhe Halimi, secili veç e veç, obligohen të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën 500 euro dhe në emër të ekspertizës shumën prej 2 mijë eurosh, si dhe në emër të kompensimit të viktimave të krimit nga 100 euro, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve Rikalo dhe Halimi, si dhe mungoi edhe mbrojtësi i Rikalos, avokati Miodrag Brkljaq.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, me qëllim që t’iu mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “Novus” SH.P.K, për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes granteve), koncorziumit “DOO Zubin Potok” për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.

Këtë thuhet se e kanë bërë ashtu që i pandehuri Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij, ka hartuar një “Program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt, më 26 mars 2018, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin me nr. ref. KM 91/18 për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshme të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç‘rast edhe programin ua dorëzon vetë të përfunduar, ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht.

Tutje, thuhet se i pandehuri Kapllan Halimi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, ka tejkaluar kompetencat e tij ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerrë vendimin me ref.nr. ZSP 266/18 për t’iu mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme kompanive të sipërcituara, emëron grupin punues në përbërje prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri Rikalo.

Sipas akuzës, i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në këtë ministri, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, e ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat Rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QKR) nr. 37/2013, duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për zhvillim Rural në MBPZHR.

Ndërsa, sipas akuzës, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues detyre i kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin ref.nr. ZHB-07/4/54/2018 për formimin e grupit punues, i cili grup do të bëjë kontroll administrativ, vlerësim, miratim dhe kontraktimin e projekteve të masës të infrastrukturës rurale, në përbërje prej: Lindar Krasniqi, Shkëlzen Morina, Albana Zeqiri dhe Leon Thaçi, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhet të formohet prej drejtorit, të monitorohet prej drejtorit dhe ky grup të raportonte te drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural.

Kështu thuhet se i pandehuri Gjoka me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të lartpërmendura në mënyrë të kundërligjshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm. Duke vepruar në këtë mënyrë, buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4.000.000 eurosh.

Sipas akuzës, të akuzuarit Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi e Albana Zeqiri, më 14 gusht 2018, duke bashkëvepruar në cilësinë e personave zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim që t’iu mundësojë përfitim në mënyrë të kundërligjshme kanë shpallur fitues konzorciumin “Novus” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore”, në Prishtinë, kanë shpallur fitues konzorciumin “Dhemetra” sh.p.k për fitimin e grantit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organik” në Gjilan, kanë shpallur fitues konzorciumin “DOO Zubin Potok”, për fitimin e grantit “Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, kanë shpallur fitues konzorciumin NTP “Arena Engineering”, për fitimin e grantit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit”, në Pejë, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika