“Dialogu në vdekje klinike”, pritshmëritë nga takimi Kurti – Vuçiq

Në sytë e analistëve politikë, pritshmëritë për takimin e 14 shtatorit në Bruksel, nuk janë të larta. Ata vlerësojnë se dialogu është në vdekje klinike dhe se ky takim nuk do të sjellë ndonjë rezultat konkret

Takimi i radhës në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten e 14 shtatorit, nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, teksa theksojnë se tema kyçe e këtij takimi pritet të jetë Marrëveshja e Ohrit, deeskalimi dhe zgjedhjet në veri të Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, beson se ky takim është përpjekja e fundit e ndërmjetësuesve të dialogut për të ecur tutje, përpara zgjedhjeve në SHBA.

“Besoj që pritshmëritë nuk mund të ishin më të ulëta, dialogu efektivisht është në vdekje klinike, është shumë e vështirë që të ringjallet, duke e marrë parasysh që jemi ngujuar në një situatë rreth çështjes së dorëheqjes së kryetarëve, zgjedhjeve të reja po humb momentumi politik”, ka thënë ai për Radio Dukagjinin.

Agon Maliqi – analist

Ngjashëm vlerëson edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Sipas tij, ky takim duhet të shndërrohet në pikë kthese pozitive për dialogun, sepse në të kundërtën, vetëm sa do ta çimentojë bllokadën aktuale.

“Mungesa e rezultateve konkrete nga Marrëveshja e Ohrit ka bërë që të modifikohet konteksti i pritshmërive: tash është e domosdoshme që të zgjidhet nyja e zgjedhjeve në Veri dhe të qartësohen pozicionimet për Asociacionin. Kryeministri Kurti gjithsesi duhet të ofrojë konstruktivitet, pasi dështimi për t’i ndërmarrë këta hapa çon në izolim të mëtejmë të Kosovës”, thotë ai për Portalin Dukagjini.

Në tavolinë pritet të servohet edhe çështja e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, temë e cila, sipas Muhaxhirit, është e patejkalueshme.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se deri në ofrimin e zgjidhjeve, çdoherë kur të ketë takime të niveleve të larta në mes të liderëve të Kosovës, të Serbisë dhe të emisarëve ndërkombëtarë, çështja e Asociacionit do të zërë vend qendror në agjenda.

Analisti, Artan Muhaxhiri

“Asociacioni është temë e patejkalueshme, me ndikim të jashtëzakonshëm në imazhin dhe trajtimin ndërkombëtar të Kosovës dhe Serbisë. Ka disa vite që SHBA-të dhe BE-ja insistojnë për ide dhe planifikime konkrete që do ta avanconin këtë temë me rëndësi parësore”, shtoi ai.

Teksa pyetet për deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se është urgjente të rregullohen marrëdhëniet me Serbinë përpara zgjedhjeve në SHBA, Muhaxhiri thotë se është tejet i mirëseardhur sensi i urgjencës nga ana e Kurtit për rregullimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por, përtej retorikës, siç potencon ai, nevojiten akte praktike dhe harmonizime veprimesh në mënyrë që të ketë progres substancial.

“Kokëfortësia e Qeverisë së Kosovës që me instrumente të pasigurta ligjore t’i sfidojë kërkesat amerikano-evropiane për përshpejtim të normalizimit të gjendjes në katër komunat veriore, do të ballafaqohet me vazhdimësi të masave dhe reagimeve të ashpra”, shprehet ai.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se krejt çka mund të pritet nga takimi Kurti-Vuçiq, minimalisht është zotimi i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Takimi nuk besoj dhe nuk mendoj që mund të sjellë ndonjë rezultat përveç zotimeve të dy krerëve të shteteve, sepse, realisht, për 6-7 muaj nuk është bërë asgjë konkrete në implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Krejt çka mund të presim është që minimumi të zotohen që do ta zbatojnë marrëveshjen, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme derisa nuk kemi një plan konkret kur do të fillojë ose të mbarojë një punë”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Nëse nuk bëhet diçka konkrete për çështjen e Asociacionit, Arifi e konsideron vit të humbur për Kosovën.

“Mos të harrojmë që jemi në masa kufizuese të BE-së, kjo është penalizuese për Kosovën. Kosova më 14 shtator do të jetë palë e penalizuar dhe jo e barabartë, do të jetë e gozhduar në njëfarë forme që nuk e ka përfunduar një pjesë të punës së saj”.

Ai thekson se ekziston ende një dritare e hapur kushtimisht deri në mars të vitit të ardhshëm, dhe nëse deri atëherë nuk ka një lëvizje të thellë praktike në zbatim të marrëveshjes, Arifi thotë se ajo mund të shtyhet për në 2025-tën.

“Kjo, për shkak të zgjedhjeve parlamentare në vitin e ardhshëm, që i bie Borrellit e Lajçakut do t’i skadojë afati në një formë apo tjetrën”.

Ripërkushtimi për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat në veri dhe për deeskalim, pret të jenë temë e takimit edhe profesori, Seb Bytyçi.

“Do të diskutohet për deeskalimin dhe zgjedhjet në veri, si dhe për implementimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër. Por nuk pritet të ketë një pajtim për zbatimin e marrëveshjes. Pritet një ripërkushtim për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për deeskalim”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.

Profesori, Seb Bytyçi

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të nisin të enjten qysh prej orës 09:00.

Diplomatët fillimisht takohen ndaras me liderët e dy vendeve, e më vonë pritet të mbahet një takim trepalësh, në mes të Kurtit, Vuçiqit dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur në shkurt, dhe më pas për çështjet aktuale.

Takimi i 14 shtatorit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit është i pari prej kur janë rritur tensionet në veri të Kosovës.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka shpërndarë çmime për fëmijë në Panairin...

Sot është dita e katërt e panairit të Librit për Fëmijë që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Shtëpia Botuese “<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdukagjinipublishing%2Fposts%2Fpfbid02YAeQHpvFm2GWcbnSERzYo68YXk5UGMDCBxQE9F8K3qgYvcNjMhYvGvXUUy73mL3Xl&show_text=true&width=500"...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Të fundit nga rubrika