Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, ka theksuar se nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet.
“Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij”, ka shtuar ai.
Në një postim në Facebook, Hamza ka thënë se përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje të Kushtetutës përbëjnë, sipas tij, sulm ndaj shtetit të së drejtës.
“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka akuzuar LVV-në për, siç tha, shpërfillje të procedurave kushtetuese dhe për dobësim të institucioneve të vendit.
Sipas tij, veprime të tilla rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një “anarkie politike” dhe destabilizim të shtetit.