Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh.
Vendimi është marrë pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ndërsa të pandehurit i është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ndaj të pandehurit F.S. ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila llogaritet nga data e arrestimit të tij, 13 gusht 2026 dhe zgjat deri më 13 shtator 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, në këtë fazë të procedurës ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale për të cilën po zhvillohen hetimet dhe janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Në marrjen e vendimit janë marrë parasysh rreziku i ikjes, mundësia e ndikimit në dëshmitarë dhe prova, si dhe rreziku i përsëritjes apo vazhdimit të veprës penale.
Gjykata ka vlerësuar se masat më të buta nuk do të ishin të mjaftueshme për neutralizimin e këtyre rreziqeve dhe sigurimin e zhvillimit të papenguar të procedurës penale.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës janë marrë parasysh edhe pretendimet e mbrojtjes dhe rrethanat personale të të pandehurit. Megjithatë, Gjykata ka konstatuar se paraburgimi për periudhën fillestare prej një muaji është masë e domosdoshme dhe proporcionale në rrethanat e rastit.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Provat e AKI-së dhe Policisë: Sali u rekrutua nga BIA përmes zyrtarit Zheljko Matoviq