Irani pranon se ka kryer sulme vdekjeprurëse në territorin e Pakistanit

Irani ka pranuar se ka kryer një sulm me raketa ndaj një grupi militant në Pakistan

AFP: Foto e marrë nga ISNA e Iranit.

Irani ka pranuar se ka kryer një sulm me raketa dhe dronë në Pakistanin perëndimor të martën.

Zyrtarët në Islamabad thanë se dy fëmijë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në sulmin në Balochistan.

Ministri i Jashtëm i Iranit, ka deklaruar se operacioni kishte në shënjestër grupin militant Jaish al-Adli, të cilin ai e përshkroi si një “grup terrorist iranian” në Pakistan.

Si rezultat, qeveria e Pakistanit tërhoqi ambasadorin e saj në Iran dhe e ka bllokuar kthimin e të dërguarit të Teheranit, raporton BBC.

Sulmi në Balochistan vjen pasi Irani sulmoi objektiva në Irak dhe Siri në fillim të kësaj jave.

Islamabad tha se sulmi ishte “i paligjshëm” dhe paralajmëroi për “pasoja të rënda”.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, duke folur në Davos, këmbënguli se asnjë shtetas pakistanez nuk ishte shënjestruar, por vetëm anëtarë të Jaish al-Adl.

“Ne synuam vetëm terroristët iranianë në tokën e Pakistanit”, ka deklaruar Amir-Abdollahian.

Ai ka shtuar se kishte folur me homologun e tij pakistanez dhe “e siguroi atë se ne e respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Pakistanit dhe Irakut”.

Sulmi i fundit ajror vjen në një kohë të tensioneve në rritje në të gjithë Lindjen e Mesme, me luftën e ndezur midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas në Gaza.

Teherani ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në një konflikt më të gjerë. Por grupet në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës”, i cili përfshin militantët Houthi në Jemen, Hezbollahun në Liban dhe grupe të ndryshme në Siri dhe Irak, kanë kryer sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij për të treguar solidaritet me palestinezët.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë nisur sulme ajrore ndaj Houthis pasi ata sulmuan anijet tregtare.

Kina të mërkurën i kërkoi Pakistanit dhe Iranit të tregojnë “përmbajtje” dhe “të shmangin veprimet që do të çonin në një përshkallëzim tensioni”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Mao Ning shtoi se Pekini i sheh vendet si “fqinjë të ngushtë”.

Ndoshta i goditur nga sulmet e fundit vdekjeprurëse në tokën vendase, Irani duket se synon të hakmerret ndaj atyre që i sheh si përgjegjës.

Në një kohë të tensioneve të rritura rajonale, Irani është i prirur të portretizojë forcën dhe t’i demonstrojë popullatës së tij se aktet e dhunës nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.

Sulmi i së martës në Pakistan goditi një fshat në provincën e gjerë kufitare jugperëndimore të Balochistanit. Teherani tha se kishte në shënjestër Jaish al-Adl, ose “ushtria e drejtësisë”, një grup etnik mysliman suni balok që ka kryer sulme brenda Iranit, si dhe ndaj forcave qeveritare pakistaneze.

Dhjetorin e kaluar Jaish al-Adl sulmoi një stacion policie në Rask, një qytet afër kufirit me Pakistanin.

Dy javë më parë Irani pësoi sulmin e tij më të keq të brendshëm që nga Revolucioni Islamik, kur dy bomba vranë 84 njerëz në një ceremoni në Kerman për të përkujtuar vrasjen e gjeneralit famëkeq të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani.

Të hënën, Irani gjuajti raketa balistike në Sirinë dhe Irakun verior të kontrolluar nga kurdët. Iran ka thënë se kishte në shënjestër Shtetin Islamik dhe agjencinë izraelite të spiunazhit Mossad, të cilët ka shtuar se të dy ishin të përfshirë në bombardimet në Kerman.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika