Kelmendi rrëfen për përçarjet në emigracionin shqiptar: Na shkaktuan edhe të vdekur e të plagosur

Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka folur për zhvillimet brenda emigracionit politik shqiptar, për përçarjet mes organizatave dhe për atë që ai i cilëson si komplote të UDB-së kundër veprimtarëve shqiptarë.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Kelmendi u pyet se kush, sipas tij, ishte njeriu më i rrezikshëm brenda emigracionit shqiptar.

Ai përmendi veçanërisht Sabriun dhe Abdullahun, duke pretenduar se ata kishin pasur ndikime përçarëse para dhe pas vrasjeve të 17 janarit 1982.

Sipas Kelmendit, në vitin 1981 emigracioni politik shqiptar ishte në procesin e konkretizimit të bashkimit të tri organizatave, ndërsa rreth 5 mijë bashkatdhetarë ishin angazhuar hapur në përkrahje të kërkesës për Kosovën Republikë.

Mes tjerash, Kelmendi pretendon se Sabriu kishte sabotuar bashkimin e dakorduar më herët, ndërsa më pas, sipas tij, UDB-ja kishte përdorur persona në terren për të goditur veprimtarët shqiptarë.

Ai përmendi edhe Xhafer Shatrin, i cili, sipas tij, iu bashkua Sabriut dhe Abdullahut në maj të vitit 1982 dhe më pas u përfshi në zhvillimet që lidhen me organizatën LRSSHJ.

Kelmendi pretendoi se pasojat e këtyre përplasjeve ishin të rënda dhe se ato çuan edhe në raste të vrasjeve dhe plagosjeve mes veprimtarëve shqiptarë në emigracion.

“Ndikime përçarëse kishin sidomos Sabriu dhe Abdullahu, para dhe pas vrasjeve të 17 janarit 1982. Emigracioni që tashmë ishte politizuar, ishte në fazën e konkretizimit të bashkimit të tri organizatave tona, të cilët gjatë vitit 1981 ia dolën të frymëzonin vetëm rreth 5 mijë bashkatdhetarë që të angazhoheshin hapur në përkrahje kë kërkesës Kosova-Republikë. Ndërsa masa e madhe e emigracionit vazhdonte të bënte sehir, për shkak të frikës, vetëdijes mjerave kombëtare dhe interesave egoiste personale e familjare. Kishte edhe nga ata që kishin simpati e tifozeri për titizmin monist. Atëherë nuk e dinim se në Turqi, Sabriu e Abdullahu po koordinonin komplote kundër nesh. Njëri nga ato u konkretizua në tetor 1981, kur Sabriu, në takim me Kadri Zekën, sabotoi bashkimin, siç ishim dakorduar në korrik 1981, në bisedat që kemi pasur Jusufi, Kadriu dhe unë dhe bashkëveprimtare tjerë. Pastaj na goditjen vrasjet, për bindjen time, meqë UDB-ja, përmes UDBashëve në terren, siç ishin Sabriu dhe Abdullahu, shtë bindur se ne po i sfidonim komplotet e tyre. Fatkeqësisht UDB-ja duhet të kishte bërë planin, si të na komplotonte edhe pas vrasjeve. Në skenë, si operativë, fillimisht dolën Sabriu e Abdullahu, të cilëve në maj 1982 iu bashkua edhe Xhafer Shatri. Pasojë e komploteve të tyre ishe simulimi i bashkimeve në organizatën Lëvizja për Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LRSSHJ), për të cilën u informuam, publikisht, me njoftimin e datës 15 maj 1982”.

“Për ilustrim konkretizues, sa ishin të sofistikuara ato komplote, po paraqes angazhimin e Xhafer Shatrit. Ai, pasi “arratiset” nga burgu i Prishtinës, vendoset në Gjenevë dhe simulon përfaqësuesin e OMLK-së, tashmë inekzistente, duke mashtruar se po e bashkonte me LRSSHJ që e kishin formuar Sabriu e Abdullahu më 16 janar 1982, – siç ka informuar me kabllogram diplomati Bujar Hoxha, – apo më 17 shkurt 1982, siç kanë dezinformuar protagonistët e atij “bashkimi”. Për mosekzistencë të OMLK-së isha i informuar në biseda që kisha me Kadriun, ndërsa edhe Mehmet Hajrizi e ka vërtetuar në monografinë e tij dedikuar OMLK-së, se ajo organizatë e ka përmbyll ekzistimin e saj më 17 janar 1982, kur ka ndodhur bashkimi me LNÇKVSHJ-në dhe FKP-në. Komplotet e atyre tre krye-protagonistëve kanë vazhduar deri në vitin 1985, kur ka ndodhur (vetë)largimi i tyre nga Lëvizja, fillimisht i Abdullahut me bashkëveprimtarët e tij, në verë 1983, i Sabriut me “shokë”, në Prill 1984 dhe i Shatrit në vitin 1985. Pasojat e komploteve të tyre ishin të mëdha. Armiqësitë e simuluara mes tyre, edhe pse ishin kolegë, siç besoja atëherë, na shkaktuan edhe të vdekur e të plagosur. Dy të plagosurit e fundit ishin Sylë Nuha e Haxhi Bega. Isha i pranishëm. Na ndodhën në tubimin e 7 prillit 1984. Në sallë ishin mbi 600 pjesëmarrës. Shkaktarë konkret ishin Milaim Zeka dhe Xhafer Durmishi. Tubime qe thirr nga Klubi Shqiptar në Dyseldorf dhe nga LRSSHJ-ja. Milaimi dhe Durmishi, të përkrahur nga Xhevat Ramabaja, ishin bërë marioneta të Sabriut. Ndërsa një vrasje dhe disa plagosje, pak kohë më parë kishin ndodhur në Zvicër, të “koordinuara” nga Haxhi Berisha, gjithashtu marionetë e Sabriut”, tha Kelmendi.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika