Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, KFOR-i për tre ditë radhazi ka vepruar për të mundësuar hapjen e rrugëve për lëvizje të qytetarëve në veri, pas mbylljes së disave nga policia me qëllim të ndalimit të kontrabandës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se së bashku me KFOR-in, kanë mbyllur një rrugë ilegale në veri të vendit, por njëkohësisht, në të njëjtën hapësirë në lokacion tjetër është hapur një rrugë alternative për banorët e asaj zone.
“Midis dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë mes dy vendeve. Krejt çka ka bërë Policia e Kosovës është se ka hap pengesa që rrugët që janë hapur ilegalisht të pamundësohen të shfrytëzohen për aktivitete ilegale… Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me gjithë akterët, përfshirë edhe KFOR-in… Ka qenë çështje teknike pse një pengesë ka qenë këtu dhe nuk është këtu”, ka thënë Sveçla.
“Ne vazhdojmë të mbështesim Policinë e Kosovës për të penguar aktivitetet e kontrabandës dhe trafikimit, edhe në veri të Kosovës. Në periudhën 26-28 prill, KFOR-i në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërmori veprime për riparimin e ndërprerjes së dy rrugëve në afërsi të Vijës Kufitare Administrative. Çdo masë sigurie që synon përmirësimin e policisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të sigurt duhet të peshohet proporcionalisht me nevojat e komuniteteve lokale dhe me lirinë e lëvizjes për banorët vendas”, ka thënë zyrtari i KFOR-it.
Ai ka theksuar se fokusimi i KFOR-i mbetet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së.