Kosova përfiton mbi 100 milionë euro grante për trajtimin e ujërave të zeza

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja e financimit në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh, për zbatimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhim të mbeturinave. Kjo ndihmë vjen nga Bashkimi Evropian me 20 milionë dhe nga Gjermania me 42 milionë euro, njashtu do të ketë kontribute edhe nga Komunat e Kosovës

Ilustrim





Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Mjedisit, nënshkruan sot me KfW-në dhe BE-në, një marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh, për zbatimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

Këto projekte, siç njofton Ministria e Financave, do të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit të mbeturinave dhe ujërave të zeza, me të cilat, ballafaqohet Kosova.

“Të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza, me të cilat, ballafaqohet Kosova”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Ministria e Financave.

Tutje, bëhet e ditur se projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës, do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.

Njashtu, projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria franceze, i cili ka qenë investimi më i madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë.

Kësisoj, Ministria e Financave ka bërë të ditur se për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë-Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht.

Tutje, theksohet se projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës, dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

“Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.

Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Staebek Madsen, ka thënë se “Përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.

Ndër të tjera, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në, si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

“Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës, duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm. Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh se “Projektet që po nënshkuajmë sot në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave, jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Nënshkruhet marrëveshja prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.





Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika