Kthehet në Apel çështja e vulës dhe e logos së PD-së

Në një njoftim për mediat thuhet se "Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi për “prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një trup tjetër gjykues”

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Salih Berisha.

Gjykata e Lartë në Shqipëri nuk ka marrë vendim për çështjen që do të zgjidhte ngërçin dhe përplasjet brenda Partisë Demokratike, por ka vendosur ta kthejë rastin në Gjykatën e Apelit.

Në një njoftim për mediat thuhet se “Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi për “prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një trup tjetër gjykues”.

Çështja ka të bëjë me atë se kujt i takon vula, logoja dhe drejtimi i Partisë Demokratike.

Çështja në Gjykatën e Lartë ishte dërguar nga grupimi i Rithemelimit i Sali Berishës.

Kjo kërkesë është dorëzuar për vendimin e 3 marsit, kur Apeli i Përgjithshëm e ktheu për shqyrtim në Gjykatën e shkallës së parë çështjen e pronësisë së logos dhe të vulës së Partisë Demokratike.

Zgjedhjet e mbajtura në korrik për kreun e PD-së së përçarë në tri pjesë, ishin kundërshtuar nga një tjetër grupim, nga sekretari i përgjithshëm, Gazmend Bardhi, dhe shtatë deputetë që e mbështesin atë, shkruan Rel.

Një grup deputetësh e kishte çuar çështjen e zgjedhjeve brenda partisë në gjykatë, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e kryesisë, përfshirë edhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës, që vazhdon të jetë kryetar i PD-së, në regjistrin e partive politike.

Situata e paqartë dhe e paqëndrueshme në PD u krijua pas 21 marsit të vitit 2022, kur Lulzim Basha dha dorëheqje si kryetar i PD-së dhe vendin e tij e zuri Enkelejd Alibeaj. Më 25 mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e ka njohur si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij.

Ky vendim është apeluar nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike. Gjykata e Apelit pati vendosur që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit. Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, po ashtu, dha dorëheqje.

Derisa po pritet vendimi i Gjykatës së shkallës së parë, Sali Berisha thirri në protestë mbështetësit e tij.

Në fjalën e tij para protestuesve, Berisha tha se edhe Gjykata e Lartë është një vegël në duart e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më së shumti foli për hetimet ndaj tij për rastin “Partizani” sesa për përplasjen brenda PD-së për vulën dhe logon e partisë.

“Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre”, tha Berisha.

Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar forca të shumta të policisë përreth ndërtesës së Gjykatës së Lartë.

Berisha u ul për disa minuta në trotuarin para Gjykatës së Lartë, dhe më pas marshoi bashkë me mbështetësit e tij drejt selisë së Partisë Demokratike, apo siç njihet selia e Rithemelimit.

Po sot, Gjykata e Posaçme pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK), për arrestimin e Berishës për rastin “Partizani”. Në kërkesë specifikohet se kërkohet “arrest shtëpie”, se duhet të ruhet nga policia dhe se i ndalohet komunikimi me këdo tjetër pos personave me të cilët jeton në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë.

Para mbështetësve në selinë e partisë që ai drejton, Berisha tha se “askush dhe asgjë nuk më ndan nga ju” . Më pas hyri në selinë e partisë, ku pret vendimin e Gjykatës së Posaçme.

Kuvendi i Shqipërisë më 21 dhjetor votoi në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.

Për çfarë akuzohet Berisha?

Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se kishte abuzuar me pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afërt të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika