Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka kërkuar nga deputetët opozitarë që të koordinohen për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ajo, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila ka filluar me një minut heshtje me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Shqipërisë, ka thënë se pajtohen plotësisht që duhet të themelohet komisioni.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar që të mos vazhdohet seanca para se të themelohet komisioni.
“Në raport me atë se çfarë e tha Tahiri pajtohemi plotësisht. Pajtohemi që duhet të formohet komisioni hetimor parlamentar, pajtohemi që është instrumenti kryesor i opozitës për mbikqyrje të pozitës dhe një instrument i mirëfilltë i demokracisë dhe pajtohemi që duhet t’i kthehet normaliteti seancave të kuvendit duke përfshirë këtu sjelljen, etikën dhe komunikimin e mirëfilltë parlamentar”, ka thënë Kusari.
Sipas saj, çka nuk pajtohet pushteti është themelimi i komisionit në mënyrën që e ka proceduar opozita herën e dytë.
Kjo, sepse siç theksoi ajo, shkelen dispozitat aktuale të ligjit për hetimin parlamentar.
“Çka nuk pajtohemi është që për të siguruar apo për të krijuar këtë komision se si herën e dytë e ka proceduar opozita, ne duhet të shkelim mbi dispozitat aktuale të ligjit për hetim parlamentar që parashihen saktë kriteret dhe format e mënyrat e formimit të grupit dhe udhëheqjes me grupin”, shtoi ajo.
Ajo ka bërë thirrje që të gjendet modaliteti i cili i jep kahje kësaj çështjeje.
“Edhe njëherë po bëj thirrje që të ulemi bashkë me shefat e grupeve parlamentare që të gjendet modaliteti i cili i jep drejtim kësaj çështje me rëndësi për funskionimin parlamentar, por mos të përdoret bllokada e opozitës për t’u krijuar bindja se këtu dikush po do të fshehë diçka”.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se si parti e pushtetit janë 100 për qind në shërbim të transparencës, llogaridhënies dhe mënyrës së funksionimit të mirfilltë të kuvendit.
Ajo ëhstë deklaruar kundër themelimit të dy komisioneve hetimore parlamentare, ngase, siç thotë ajo, kjo mund të rezultojë “qesharake”.
“Natyrisht që jemi kundër për themelimin e dy komisioneve hetimore parlamentare sepse dy komisione për të njëjtën çështje me angazhim të deputetëve, me kërkesa dhe ftesa të anëtarëve të institucioneve për intervistim në njërin dhe në tjetrin dhe e bëjmë një lëmsh të madh në raport të funskionimin edhe dalim komplet qesharak”.
Megjithatë, ajo theksoi se do të ofrojnë gatishmërinë maksimale që të mundëoshet themelimi i këtij komisioni.