Lufta në Ukrainë kthen në skenë aleancën e vjetër

Teksa Uashingtoni e ka paralajmëruar Phenianin kundër dërgimit të armëve në Rusi, gjë që do të shkelte embargon e vendosur nga OKB-ja për blerje e shitje të armëve, vëzhguesit thonë se SHBA-ja mund të bëjë pak si përgjigje ndaj këtij veprimi. Ata vënë në dukje se Moska mund të ndajë teknologjinë e avancuar bërthamore, raketore dhe nëndetëset me Phenianin në këmbim të furnizimeve me armë, një lëvizje që mund të inkurajojë diktatorin Kim dhe të ngrejë kërcënime të mëdha për sigurinë

Kim Jong

Pas një viti e gjysmë luftimesh në Ukrainë, Rusia duhet të plotësojë furnizimet e saj me municion për atë që mund të jetë një luftë e gjatë shkatërruese. Së bashku me rritjen e prodhimit të saj të armëve, Moska po kthehet te një aleat i vjetër me një arsenal të madh – Koreja e Veriut.

Vlerësimet thonë se vendi i izoluar aziatik ka dhjetëra miliona predha artilerie dhe raketa që mund t’i japin një shtysë të madhe ushtrisë ruse.

Zyrtarët amerikanë presin që udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ta vizitojë Rusinë në ditët në vijim për të nënshkruar një marrëveshje të mundshme për transferimin e municioneve me presidentin Vladimir Putin. Ky do të ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm nga lufta koreane e viteve 1950-53, kur Bashkimi Sovjetik i dha veriut komunist armë dhe municione.

“Ne e dimë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka vizituar Korenë së fundmi kryesisht për predha artilerie dhe ka shumë të ngjarë që do të diskutohet mes Putinit dhe Kim Jong Un”, ka theksuar Alexander Gabuev, kreu i Qendrës Carnegie Rusia Eurasia.

Shoigu u bë shefi i parë rus i mbrojtjes që vizitoi Korenë e Veriut që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Imazhet e tij në një paradë ushtarake në kryeqytetin, Phenian, në korrik, së bashku me Kimin dhe me medalje ushtarake të Koresë së Veriut, ishin shenjë e fortë e një përpjekjeje të fuqishme të Moskës për të arritur në veri. Shoigu ka treguar se stërvitjet e përbashkëta ushtarake janë të mundshme.

I pyetur për një vizitë të mundshme nga Kim dhe një marrëveshje që do të parashihte furnizime me armë nga Koreja e Veriut për Rusinë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë.

Por, ai theksoi se Moska i çmon lidhjet me Phenianin, duke shtuar: “Koreja e Veriut është fqinji ynë dhe ne do t’i zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona pa u kthyer prapa në opinionin e vendeve të tjera”.

Premtimet e parealizuara

Kim bëri vizitën e tij të parë në Rusi në vitin 2019 dhe zhvilloi bisedime me Putinin që përfshinin premtime për bashkëpunim më të ngushtë, por nuk u pasuan nga ndonjë përparim i dukshëm.

Ndërsa, pjesa më e madhe e arsenalit të Ushtrisë Popullore Koreane janë të vjetruara, numri i tyre i madh do t’i ofronte ushtrisë ruse një litar potencial kyç shpëtimi në mes të konfliktit më të madh tokësor të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Hong Min, një analist në Institutin Korean për Bashkimin Kombëtar të Seulit, ka njoftuar se Rusia mund të kërkojë të shndërrojë Korenë e Veriut si një “bazë të pasme” për përpjekjet e saj të luftës, duke siguruar një fluks të madh municionesh.

“Rusia shpreson se Koreja e Veriut mund të krijojë me shpejtësi kanale mbështetëse për t’i siguruar asaj materiale lufte si municione, bomba dhe furnizime të tjera”, ka thënë Hong.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se Koreja e Veriut i shiti disa municione kontraktorit ushtarak privat të Rusisë, “Wagner”, në nëntor. Zyrtarët rusë dhe koreano-veriorë kanë mohuar se Pheniani ka dërguar ndonjë armë ose municione në Rusi ose ka ndërmend ta bëjë këtë.

Zyrtarët amerikanë e kanë cilësuar kërkesën e Moskës për armët e Koresë së Veriut si një reflektim të problemeve ushtarake ruse. Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka thënë se cilësia e armëve të Koresë së Veriut është një “pyetje e hapur”.

“Do të thotë shumë që Rusia duhet t’i drejtohet një vendi si Koreja e Veriut për të kërkuar të forcojë kapacitetin e saj mbrojtës në një luftë që ajo priste ta përfundonte brenda një jave”, ka theksuar Sullivan.

Jon Finer, zëvendëskëshilltari kryesor i presidentit amerikan, Joe Biden, për sigurinë kombëtare, u tha gazetarëve të dielën se blerja e armëve nga Pheniani “mund të jetë alternativa më e mirë dhe mund të jetë e vetmja” e hapur për Moskën, ndërsa ajo përpiqet të vazhdojë përpjekjet e saj për luftë. Finer i bëri komentet në bordin e fluturimit të Bidenit nga India në Vietnam.

Paralajmërimi i SHBA-së

Teksa Uashingtoni e ka paralajmëruar Phenianin kundër dërgimit të armëve në Rusi, gjë që do të shkelte një embargo të OKB-së për çdo dërgesë armësh drejt dhe nga Koreja e Veriut, vëzhguesit thonë se SHBA-ja mund të bëjë pak si kundërpërgjigje.

Zyrtarët amerikanë vënë në dukje se Moska mund të ndajë teknologjinë e avancuar bërthamore, raketore dhe nëndetësore me Phenianin në këmbim të furnizimeve me armë, një lëvizje që mund të inkurajojë Kimin dhe të ngrejë kërcënime të mëdha për sigurinë rajonale.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë opsione të kufizuara politike në adresimin e kësaj sfide të re”, tha në një analizë Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington.

Ndërsa, rezervat e mëdha të Veriut mund të nxisin përpjekjet ruse për luftë, Moska ka importuar dronë nga një aleat tjetër, Irani, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në luftë.

Rusia ka përdorur dronët shpërthyes Shahed për ta goditur infrastrukturën e Ukrainës për më shumë se një vit. Pas befasisë fillestare, mbrojtja ajrore ukrainase ka përmirësuar aftësinë e saj. Por dronët e lirë dhe të thjeshtë që kanë një rreze që tejkalon 1500 kilometra vazhdojnë të shkaktojnë dëme të konsiderueshme.

Rusia thuhet se ka blerë një licensë prodhimi nga Irani dhe ka ndërtuar fabrikën e saj për të montuar dronët dhe për të prodhuar mijëra prej tyre në vit. Irani pritet që fillimisht të sigurojë materialet dhe teknologjinë, me fabrikën që gradualisht do të prodhojë vetë të gjithë komponentët.

Prodhuesit rusë të armëve kanë kompensuar të paktën disa nga humbjet e pajisjeve në konflikt dhe kanë zhvilluar disa produkte të reja, duke përfshirë bomba rrëshqitëse të drejtuara nga sateliti dhe armë të tjera precize për të luftuar kundër kundërsulmit të verës të Ukrainës.

Në fillim të luftës, përdorimi i gjerë i dronëve nga Ukraina shkaktoi humbje të mëdha për forcat ruse dhe luajti rol të rëndësishëm në pengesat ushtarake të Moskës. Zyrtarët rusë pranuan se nuk i kishin kushtuar vëmendje të mjaftueshme dronëve para luftës dhe u zotuan se do ta mbushnin shpejt boshllëkun.

Armët ruse

Një lloj droni shpërthyes i prodhuar në masë që pati ndikim të dukshëm është Lancet, i aftë të rrijë mbi fushën e betejës përpara se të godasë objektivin e tij. I lirë dhe kompakt, ai ka kryer fort punë, duke lejuar ushtrinë ruse të godasë tanket dhe sistemet e artilerisë ukrainase në një shkallë të gjerë.

Rusia ka përdorur gjithnjë e më shumë një tjetër pasuri të re muajt e fundit: bombat ajrore rrëshqitëse. Me një palë krah dhe një modul navigimi satelitor, bombat e vjetra sovjetike janë shndërruar në armë “inteligjente” shumë efikase. Ato kanë një rreze veprimi deri në 60 kilometra dhe lejojnë forcat ajrore ruse të shtojnë sulmet ndaj forcave ukrainase përgjatë vijës së frontit, pa vënë në rrezik avionët luftarakë.

Rusia ka përshtatur bomba 500-kilogramëshe, duke i përdorur ato për të shmangur kundërsulmin e Ukrainës. Ka punuar për të projektuar një konvertim të ngjashëm për një bombë 1500-kilogramëshe, që thuhet se e përdori atë për herë të parë këtë muaj. E transformuar në një bombë rrëshqitëse, thuhet se është e saktë në pesë metra dhe lë një krater 15 metra – armë e fuqishme kundër aseteve ushtarake ukrainase.

Një tjetër shtesë në arsenalin rus është raketa antitank Vikhr, e përdorur nga helikopterët rusë. Ajo ka një rreze të zgjeruar që lejon pilotët të nxjerrin armaturën ukrainase ndërsa qëndrojnë jashtë mundësive të mbrojtjes ajrore dhe është përdorur gjerësisht gjatë verës.

“Përdorimi i aviacionit sulmues ka paraqitur një sfidë të vazhdueshme për forcat ukrainase gjatë gjithë kundërofensive”, thuhet në një analizë të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Ndërsa zhvillojnë armë të reja, prodhuesit rusë gjithashtu forcuan prodhimin e tankeve dhe të armëve të tjera dhe ushtria ka përdorur gjithnjë e më shumë bazat e saj të ruajtjes së mijëra automjeteve të blinduara që datojnë nga Lufta e Ftohtë. Disa janë përmirësuar me mburoja mbrojtëse dhe pajisje të tjera për të rritur mundësinë e mbijetesës së tyre.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka thënë se Rusia do të prodhojë 1500 tanke luftarake në vitin 2023.

“Rripat transportues të kompleksit tonë industrial ushtarak janë duke punuar në tri ndërrime dhe do të prodhojnë aq armë sa duhet për ta mbrojtur me efikasitet atdheun”, ka thënë ai.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika