NATO nis stërvitjet “Air Defender 23”

NATO ka nisur stërvitjen më të madhe ajrore ndonjëherë në Evropë më 12 qershor, për të shfaqur unitetin drejt partnerëve dhe ndaj kërcënimeve të mundshme

Një avion i ushtrisë turke gjatë stërvitjeve "Air Defender 23".. Foto: AFP

NATO ka nisur stërvitjen më të madhe ajrore ndonjëherë në Evropë më 12 qershor, për të shfaqur unitetin drejt partnerëve dhe ndaj kërcënimeve të mundshme.

Në stërvitjet “Air Defender 23”, që udhëhiqen nga Gjermania, do të përfshihen rreth 250 avionë luftarakë nga 25 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere, përfshirë Japoninë dhe Suedinë. Stërvitjet do të zgjasin deri më 23 qershor.

Deri në 10 mijë ushtarë marrin pjesë në stërvitjet që kanë për synim të rrisin ndërveprimin dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur ndaj sulmeve me dronë dhe raketa, në rast të ndonjë sulmi brenda territorit të NATO-s.

“Mesazhi i rëndësishëm që po dërgojnë është se ne mund të mbrojmë veten”, tha gjenerallejtënant, Ingo Gerhartz.

Stërvitjet “Air Defender” u krijuan më 2018, si pjesë e përgjigjes ndaj aneksimit të Rusisë të gadishullit ukrainas të Krimesë, edhe pse Gerhartz insistoi se ky më nuk është synimi.

Ai tha se stërvitjet “nuk do të dërgojnë, për shembull, asnjë avion në drejtim të Kaliningradit”, një enklavë ruse që gjendet në kufi me shtetet anëtare të aleancës, Poloninë dhe Lituaninë.

“Ne jemi aleancë mbrojtëse dhe kështu janë planifikuar këto stërvitje”, tha ai.

Në shtunën, qindra protestues u mblodhën në Vunstrof të Gjermanisë për t’i kundërshtuar stërvitjet. Protestuesit mbanin në duar pano me mbishkrime si “praktikoni paqe, e jo luftë”. Ata po ashtu bënë thirrje për “zgjidhje diplomatike” të pushtimit rus të Ukrainës dhe armëpushim të menjëhershëm.

Ambasadorja amerikane në Gjermani, Amy Gutmann, tha se stërvitjet do të tregojnë “pa asnjë dyshim aftësinë dhe shpejtësinë e forcës sonë aleate” dhe se këto stërvitje synojnë të dërgojnë mesazh për shtete, përfshirë Rusinë.

“Do të isha e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do të kuptonte që kjo stërvitje shfaq shpirtin e aleancës, që nënkupton fuqinë e kësaj aleance, dhe këtu përfshihet edhe [presidenti rus, Vladimir] Putin”, tha ajo.

“Duke u sinkronizuar së bashku, ne shumëfishojmë forcën tonë”, shtoi ajo.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pas nisjes së pushtimit, Finlanda dhe Suedia – dy shtete neutrale – me qëllim që të shmangin një konflikt me Moskën, kërkuan anëtarësim në NATO. Suedia ende po synon që të arrijë të bëhet anëtarja më e re e aleancës.

Sipas nenin pesë të NATO-s, çdo sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare. /REL

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika