Osmani: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është frymëzim i përhershëm, shenjë dalluese e identitetit tonë kombëtar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kryetrimi shqiptar pas vetes e la projektin e parë evropian të shqiptarëve dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake e diplomatike, e cila sipas saj, është shndërruar në model frymëzues për çdo shqiptar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ka thënë se ai është mbrojtësi i paepur i qytetërimit evropian në njërën prej portave kryesore të Perëndimit, në Adriatik.

Me anë të një postimi, presidentja Osmani ka theksuar se kryetrimi shqiptar pas vetes e la projektin e parë evropian të shqiptarëve dhe një trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake e diplomatike, e cila sipas saj, është shndërruar në model frymëzues për çdo shqiptar.

“555 vjet më parë u përjetësua kryetrimi shqiptar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, mbrojtësi i paepur i qytetërimit evropian në njërën prej portave kryesore të Perëndimit, në Adriatik”, ka thënë Osmani.

Me emrin dhe namin e tij, Osmani ka thënë se lidhet secili projekt shtetëror e politik, me modelin e përbashkimit, të kultivuar me aq mençuri.

“Me heroin tonë kombëtar lidhet secila përpjekje politike e jona, për konsolidim kombëtar e secila përpjekje për liri. Ai është frymëzim i përhershëm, është shenjë dalluese e identitetit tonë kombëtar. I përulemi veprës dhe heroizmit të tij”, shtoi ajo.

Ndryshe, më 17 janar të vitit 1468, ka vdekur luftëtari, diplomati e heroi kombëtar i shqiptarëve, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, në moshën 63 vjeç.

Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, ishin rënduar nga veprimtari e negociata jashtë dhe beteja pa pushim brenda vendit.

Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin.

Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut, që shqiptarët i braktisën të gjitha shpresat.

Gjergj Kastrioti i njohur si Skënderbeu ishte dhe udhëheqës ushtarak arbër, që në fillesë ka luftuar për Perandorinë Osmane dhe më pas ka drejtuar një kryengritje kundër saj.

Një anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Skënderbeu arriti të pushtonte Krujën, duke përdorur një letër të falsifikuar të sulltanit dhe vari në heshtë zyrtarët e kapur osmanë që refuzuan të pagëzoheshin si krishterë.

Në vitin 1444, i priu Lidhjes së Lezhës. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë sesa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10 mijë vetash e tij, luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara.

Heroi Kombëtar i Shqipërisë, i cili vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues në shekullin e 15-të, ishte një shembull për imitim për të gjithë heronjtë e mëvonshëm.

Gjergj Kastriot Skënderbeu ka vdekur në moshën 63-vjeçare dhe konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore, si heroi që pengoi Perandorinë otomane ta pushtonte Perëndimin e Evropës.

Vdekja e Skënderbeut nënkuptoi fundin e pavarësisë së Shqipërisë, që vetëm falë tij arriti të shfaqej si një shtet i bashkuar dhe i pavarur. Kruja që për shumë vite u quajt si Akropoli i Kristianizmit, rezistoi vetëm një rrethim tjetër pa Prijësin e saj.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika