Palët në Sudan pajtohen për një armëpushim triditor

Në mesnatë, në Sudan ka hyrë në fuqi një armëpushim 72 orësh

Luftimet në Sudan. Foto: AP

Në mesnatë, në Sudan ka hyrë në fuqi një armëpushim 72 orësh.

Kjo është hera e tretë që palët arrijnë marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve qëkur shpërtheu dhuna më herët gjatë këtij muaji, por marrëveshjet e mëhershme të armëpushimit janë shkelur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka theksuar se është arritur një marrëveshje midis ushtrisë dhe grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, pas 48 orësh negociata.

Të paktën 400 persona janë vrarë qëkur nisën luftimet më 15 prill.

Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë njoftuar ndarazi për marrëveshjen e armëpushimit.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se dhuna në Sudan rrezikon të shkaktojë një “zjarr shkatërrues” që do të mund të përfshinte të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Qëkur ka nisur dhuna, banorët e kryeqytetit sudanez, Kartum, janë udhëzuar që të qëndrojnë në shtëpi, teksa ushqimet dhe furnizimet e tjera janë pakësuar.

Bombardimet kanë goditur infrastrukturën kyçe, sikurse tubacionet e ujit, që nënkupton se disa persona janë detyruar që të përdorin ujin e lumit Nil për pije.

Pas njoftimit për armëpushim është rritur shpresa se civilët do të mund të largohen nga kryeqyteti.

Qeveritë e huaja po ashtu shpresojnë se armëpushimi do të mundësojë vazhdimin e evakuimeve të shtetasve të tyre nga Sudani. Shtetet e huaja nxituan që të evakuonin diplomatët dhe civilët në kohën kur luftimet në kryeqytet u intensifikuan.

Më herët gjatë 24 prillit, Blinken ka theksuar se disa autokolona po tentonin të largonin njerëz, por u përballën me grupe që po “grabisnin dhe plaçkitnin”.

SHBA-ja, shtoi ai, po shikon mundësitë e një rikthimi të mundshëm të prezencës diplomatike në Sudan. Por, kryediplomati amerikan theksoi se kushtet ishin “shumë sfiduese”.

Sudani po përballet me ndërprerje të mëdha të internetit, thanë grupet monitoruese. Në Kartum, që nga mbrëmja e së dielës nuk ka qasje në internet.

Vlerësohet se dhjetëra mijëra persona, përfshirë edhe sudanezë dhe qytetarë nga shtetet fqinje, janë larguar nga shteti për shkak të trazirave.

Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshja kryesore në planin për tranzicion ka të bëjë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

Gjenerali Dagalo e ka akuzuar Qeverinë e gjeneralit Burhan se përbëhet nga “islamikë radikalë” dhe se grupi i tij paraushtarak po “lufton për popullin e Sudanit dhe që të sigurojë përparim demokratik, të cilin qytetarët e duan për një kohë të gjatë”.

Burhan ka thënë se mbështet idenë e rikthimit të sundimit civil, por ka shtuar se ai do t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie që do të zgjidhet.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika