
Në Prishtinë do të mbahet Prishtina Dance Festival, një festival ndërkombëtar i dedikuar vallëzimit, i cili do të sjellë artistë nga vende të ndryshme dhe performanca të ndryshme.
Festivali do të mbahet nga 4 deri më 7 shtator 2026, ndërsa programi nis të premten në orën 13:00 dhe përfundon të hënën, më 7 shtator, në orën 04:00.
Ngjarja do të zhvillohet në Klan Arena në Prishtinë, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të vallëzimit.
Në kuadër të festivalit do të funksionojnë tri skena të vallëzimit: Salsa, Bachata dhe Fun Stage.
Ky është edicioni i dytë i Prishtina Dance Festival.
Instruktori i vallëzimit, Rron Haxhiislami, ka thënë për RTV Dukagjinin se edicioni i sivjetmë do të jetë më i madh, me një numër më të madh artistësh ndërkombëtarë.
Haxhiislami ka bërë të ditur se për këtë edicion janë planifikuar 32 artistë ndërkombëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët do të marrin pjesë në festival përmes punëtorive dhe performancave.
Ai ka theksuar se këtë vit organizatorët janë fokusuar veçanërisht te të rinjtë, me qëllim që ata të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth vallëzimit dhe, në veçanti, të përvetësojnë hapat bazë.
Për pjesëmarrësit që kanë nevojë për akomodim, janë ofruar edhe mundësi për rezervimin e dhomave në Hotel Garden në Prishtinë.


