William Walker u shkruan liderëve politikë, propozon Faton Bislimin për President të Kosovës

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori në pension William G. Walker, u është drejtuar me një letër liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat për President të Kosovës.

Letra, të cilën e ka siguruar Telegrafi, vjen në kohën kur procesi për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar.

Walker shpreh shqetësimin e tij për, siç e cilëson, “bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues” dhe vlerëson se zgjedhje të reja nuk do të sillnin domosdoshmërisht zgjidhje për situatën politike në vend.

“Si mik i Kosovës, jam thellësisht i shqetësuar, ashtu siç jam i bindur se jeni edhe ju dhe qytetarët e Kosovës, për bllokadën e tejzgjatur të procesit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri”, thuhet në letrën e tij.

Diplomati amerikan thotë se ka dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm, por sipas vlerësimit të tij, asnjëri nuk i përmbush në tërësi aftësitë, përvojën dhe profilin personal që, sipas tij, kërkon posti i Presidentit.

Për këtë arsye, Walker propozon emrin e Faton Bislimit, të cilin thotë se e njeh prej shumë vitesh dhe me të cilin ka diskutuar për politikën e Kosovës, si dhe për pozitën e vendit në Evropë dhe në botë.

Walker vlerëson se Bislimi ka aftësi të veçanta për të ushtruar detyrën e Presidentit, duke veçuar përvojën e tij ndërkombëtare, formimin akademik, aftësitë komunikuese dhe njohuritë për procesin e shtetformimit të Kosovës.

Sipas tij, Bislimi ka jetuar, udhëtuar dhe studiuar në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut, ndërsa studimet e tij në Kosovë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada i cilëson të nivelit të lartë.

Walker përmend gjithashtu aftësitë e tij në komunikim dhe njohjen e gjuhëve shqipe dhe angleze, ndërsa thotë se, sipas dijenisë së tij, Bislimi zotëron edhe frëngjishten.

Në letër, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë thekson edhe njohuritë që Bislimi ka për historinë politike të Kosovës dhe procesin e shtetformimit para, gjatë dhe pas luftës së viteve ’90.

Një tjetër element që Walker e konsideron të rëndësishëm është personaliteti i Bislimit, duke e përshkruar atë si person me aftësi të mira sociale, i cili di të jetë serioz kur kërkohet dhe të përdorë humorin kur situata e lejon.

Walker e cilëson Bislimin edhe si kandidat potencial të konsensusit, duke argumentuar se Kosova ka nevojë për një President që perceptohet si përfaqësues i të gjithë vendit dhe jo i një partie politike apo individi.

“Fatoni nuk përfaqëson interesa partiake. Ai përfaqëson bindjet e veta dhe përkushtimin për një Kosovë më të mirë”, shkruan Walker.

Në fund të letrës, diplomati amerikan kërkon nga liderët politikë që emri dhe kualifikimet e Faton Bislimit të merren në konsideratë gjatë diskutimeve për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Sipas informacionit të publikuar, letra u është dërguar liderëve të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Megjithatë, deri në publikimin e saj, nuk është konfirmuar nga LVV, PDK, LDK apo AAK nëse letra ka arritur në adresat e tyre.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika