Zelensky: Rusia mund t’i intensifikojë sulmet në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ka mundësi që Rusia të rrisë shkallën e sulmeve në verilindje të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Foto: Reuters

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se ka mundësi që Rusia të rrisë shkallën e sulmeve në verilindje të Ukrainës, pas fitoreve të fundit që i ka shënuar afër qytetit të Harkivit.

Trupat ushtarake ruse kanë tentuar të avancojnë në fushëbetejë, teksa forcat ushtarake ukrainase janë përballur me mungesë të armëve për sulm dhe mbrojtje.

Zelensky e ka pranuar se ekzistojnë probleme me stafin ushtarak dhe moralin e tyre, duke shtuar se një pjesë e brigadave ekzistuese janë të thata.

Ai i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se flota ajrore e vendit të tij po përballet me mungesa dhe u ka bërë sërish thirrje vendeve aleate që të dërgojnë më shumë aeroplanë luftarakë.

“Sot ne kemi vetëm rreth 25 për qind të asaj që na duhet për ta mbrojtur Ukrainën”, ka thënë Zelensky teksa i ka komentuar kapacitetet ajrore të Ukrainës.

“Në mënyrë që Rusia të mos ketë superioritet ajror, flotës sonë i duhen 120 deri në 130 aeroplanë modernë”.

Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar së fundmi një paketë ndihme për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, në të cilën përfshihen edhe pajisjet ushtarake.

Forcat ruse kanë nisur javë më parë ofensivën verore dhe kanë marrë kontrollin e disa fshatrave në frontin verilindor të Ukrainës, afër Harkivit – qytetit të dytë më të madh në shtet.

Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov, ka thënë të shtunën se gati 10.000 njerëz janë urdhëruar të largohen brenda një jave.

“Situata po kontrollohet prej mbrojtësve të Ukrainës”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se vendi i tij do të shpenzojë 2.3 miliardë dollarë për të forcuar kufirin lindor kundër “armiqve potencialë”.

Polonia është në kufi me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Osmani: Protesta e 1 Tetorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe...

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 Tetorit 1997 ishte moment kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Osmani...

Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, e shpall Ukrainën prioritet kryesor

Mark Rutte, ish-kryeministër i Holandës, është emëruar Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, duke zëvendësuar Jens Stoltenberg, i cili udhëhoqi Aleancën për një...

Të fundit nga rubrika