Statusi i kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit mbetet i paqartë, pas deklaratave kontradiktore nga autoritetet iraniane gjatë 24 orëve të fundit.
Konfuzioni nisi pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të premten se, në kuadër të armëpushimit në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes ngushticës ishte “plotësisht i hapur” deri në përfundimin e armëpushimit javën e ardhshme, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Megjithatë, ai la të kuptohet se kontrolli i rreptë iranian mund të zëvendësohej me një regjim më të koordinuar, ku anijet do të duhej të ndiqnin rrugë të përcaktuara nga autoritetet iraniane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e përshëndeti fillimisht këtë zhvillim, por theksoi se bllokada detare ndaj porteve iraniane do të vazhdojë “plotësisht” deri në arritjen e një marrëveshjeje të plotë me Teheranin.
Kjo u refuzua nga Irani, ndërsa mediat iraniane shprehën kritika ndaj deklaratave të Araghchi, duke theksuar se ato krijojnë paqartësi për kushtet dhe mekanizmat e kalimit.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, kalimi përmes ngushticës do të jetë i kufizuar, nën menaxhim iranian dhe mund të jetë subjekt i tarifave.
Të shtunën, ushtria iraniane konfirmoi se kufizimet për anijet tregtare do të mbeten në fuqi për sa kohë vazhdon bllokada amerikane. Edhe marina e Gardës Revolucionare Islamike paralajmëroi se statusi i ngushticës nuk do të ndryshojë derisa të ekzistojë kërcënimi ndaj anijeve iraniane.
Në këtë situatë të paqartë, kompanitë detare po tregohen të kujdesshme për përdorimin e ngushticës.
Ndërsa disa cisterna nafte janë larguar nga Gjiri të shtunën, të tjera mbeten në pritje për zhvillimet e mëtejshme.
Irani kufizon kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, fajëson SHBA për “shkelje besimi”