Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar lart figurën dhe veprën e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të tij.
Në fjalën e tij, Konjufca e cilësoi Qosjen si një nga figurat më të rëndësishme intelektuale të kombit shqiptar.
“Ai ishte një nga intelektualët, shkrimtarët, veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë.
Çdo krijues përshkohet nga një princip suprem qëllimor i cili është forca e vërtetë shtytëse e veprimtarisë së tij. Por cili ishte principi i Qosjes?
Elani i tij ishte liria kombëtare. Prandaj gjithçka që prodhoi e ka formën e luftës kundër shtypjes.
E lufta është strategji. Bazamenti i saj i parë, shtresa e themelit, është vetëdija. Mbi të pastaj ndërtohet e sigurt ngrehina e shtetit kombëtar.
Në këtë kuptim, me të drejtë u tha edhe këto ditë që ai është rilindësi i fundit. Qosja besonte se, duke qenë një komb i rrënjosur në gjuhë, unifikimi gjuhësor i shqiptarëve ishte procesi i domosdoshëm i unitetit të vetëdijes kombëtare”, ka thënë Konjufca.