E dënuara me vdekje në Tennessee, Christa Pike, ndodhet pa ndjenja, e intubuar dhe nën mbështetje me ventilator, pasi autoritetet dështuan ta ekzekutonin me injeksion vdekjeprurës, sipas dokumenteve të dorëzuara nga avokatët e saj në gjykatë.
Pike, 50 vjeç, u injektua të mërkurën me dy doza pentobarbitali, por mbeti gjallë. Pas kësaj, ajo u dërgua me ambulancë në spital në Nashville, ku vijon të trajtohet në gjendje kritike, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Avokatët e Pike, e cila u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e Colleen Slemmer, po kërkojnë që dënimi i saj të zëvendësohet pas përpjekjes së dështuar për ekzekutim.
Në një kërkesë urgjente të dorëzuar të premten, avokatët kërkuan ruajtjen e “çdo prove” që lidhet me ekzekutimin e dështuar.
Sipas dokumentit, stafi i spitalit po përpiqet t’i shpëtojë jetën Pike dhe të largojë pentobarbitalin nga organizmi i saj.
Avokatët pretendojnë se gjatë përpjekjes për ekzekutim, zyrtarët e burgut tentuan të siguronin qasje intravenoze duke përdorur të paktën shtatë gjilpëra. Në një moment, sipas tyre, edhe vetë Pike u përpoq të tregonte se ku mund të vendosej gjilpëra.
“Një gjilpërë ishte përkulur në një kënd prej 90 gradësh kur u hoq”, thuhet në kërkesën e avokatëve.
Sipas tyre, gjatë marrjes së dy dozave të pentobarbitalit, Pike “mund të dëgjohej duke qarë, duke rënkuar dhe duke marrë frymë me zë të lartë gjatë gjithë procedurës”.
Në një moment, ajo dyshohet se ka thënë: “Krahu im ndihet sikur do të shpërthejë”, ndërsa më pas ka pyetur: “A ndodh kështu?”.
Avokatët e Pike kishin paralajmëruar më herët se gjendja e saj shëndetësore, përfshirë trombocitozën, një çrregullim që lidhet me mpiksjen e gjakut, si dhe venat e vogla, mund të rrisnin rrezikun e dhimbjes dhe vuajtjes së panevojshme gjatë injektimit vdekjeprurës.
Në dokumentet e fundit, ata pretendojnë se “në asnjë moment asnjë anëtar i ekipit të ekzekutimit nuk kuptoi se linjat intravenoze nuk ishin vendosur siç duhet ose se venat ishin dëmtuar dhe se pentobarbitali, tërësisht ose pjesërisht, po hynte në trupin e zonjës Pike”.
Avokatët kanë kërkuar që të ruhen të gjitha provat fizike, dokumentet dhe të dhënat elektronike që lidhen me përpjekjen për ekzekutim.
E dënuara me vdekje në SHBA mbijeton pas dy injeksioneve vdekjeprurëse