Çështja e të zhdukurve, Halimi: Nga paaftësia e Qeverisë “dhuna” është zëvendësuar në “forcë”

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, teksa ka komentuar zëvendësimin e termit “Personat e zhdukur me dhunë” në “Personat e zhdukur me forcë” ka thënë se pretendimi për të paraqitur se nocionet "forcë" dhe "dhunë" janë sinonime, është i gabuar dhe krejtësisht i pasaktë

Sibel Halimi, zëdhënëse e LDK-së

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se si pasojë e paaftësisë aktuale të Qeverisë së Kosovës në terma elementare dhe mentalitetit populist të politikëbërjes, “Personat e zhdukur me dhunë” është zëvendësuar me “Personat e zhdukur me forcë””.

Halimi ka thënë se pretendimi për të paraqitur se nocionet “forcë” dhe “dhunë” janë sinonime, është i gabuar dhe krejtësisht i pasaktë.

Sipas saj, Serbia ia ka dalë ta shmangë nga marrëveshja termin e njohur nga OKB-ja për personat e zhdukur me dhunë “enforced disappearance”.

“Përdorimi i termit ‘forcë’ redukton problemin e të pagjeturve në një dimension vetëm fizik, bartje. Derisa, e amneston palën serbe nga tortura, veprimet që kanë shkaktuar dëme psikike, emocionale duke e përfshirë edhe përdhunimin dhe poshtërimin. Ndonëse, forca apo shtrëngimi fizik në definimin e dhunës është vetëm njëri dimension”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.

Ndër të tjera, Halimi ka thënë se sensacionalja politike e dialogut është e përqendruar kryesisht në Asociacionin, por sipas saj, epiqendra e diskutimit është më shumë e orientuar në emërimin e së kaluarës.

“Premisën fillestare të definimit të ri për të krijuar një marrëdhënie të re shoqërore e patëm në preambulën e parë të marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ u zëvendësua me ‘Tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës’”, ka shkruar tutje ajo.

Ndërkaq, për takimin e fundit në Bruksel, specifikisht diskutimi për çështjen e të pagjeturve, Halimi ka thënë se aktualizoi sërish rikonceptimin e nocioneve që predeterminojnë rrjedhimisht edhe definimin e së kaluarës.

“Kjo zmbrapsje ia heq Kosovës mundësinë që pas anëtarësimit në KiE ta padiste shtetin serb në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe po ashtu, familjarët e personave të zhdukur me dhunë do të mund të kërkonin dëmshpërblim nga Serbia”, është shprehur tutje ajo.

Sipas saj, e kaluara duhet të marrë vëmendjen e secilit dhe “të vendoset drejtësia si përmbushje, prehje, për viktimat – për ta fituar të sotmen”.

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila u miratua më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik.

Palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si “konfidenciale”.

Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika