Dekreditimi i kryeprokurorit, ‘Peng’ i hyrjes në fuqi të ligjit për KPK-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, besohet se është në pritje të hyrjes në fuqi të plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, në mënyrë që të vendosë nëse do ta dekretoj ose jo kandidatin Blerim Isufaj për kryeprokuror. Nga zyra e Presidentes, më parë kishin deklaruar se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankesat e dy kandidatëve për kryeprokuror por ky vendim tashmë është marrë dhe Presidentja ende nuk e ka dekretuar kryeprokurorin

Ilustrim

Pozita më e rëndësishme në sistemin prokurorial të Kosovës, tash e disa muaj ka mbetur me ushtrues detyre.

Besim Kelmendi po vazhdon të ushtrojë pozitën e kryeprokurorit.

Vendi ka mbetur vakant, pasi Presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur nëse do ta dekretoj ose jo kandidatin Blerim Isufaj për kryeprokuror.

Nga zyra e Presidencës i kanë thënë shkurt Radio Televizionit Dukagjini se akoma nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim.

Vetëm pak javë më parë, nga ky institucion kanë deklaruar se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rreth ankesave të dy kandidatëve.

Kushtetuesja më 4 korrik hodhi poshtë këto dy ankesa.

Megjithatë, përkundër këtij zhvillimi, Presidentja Osmani akoma nuk ka vendosur rreth dekretit.

Megjithkëtë, Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se Presidentja është akoma brenda një afati të arsyeshëm.

Lavdim Makshana – IKD

“Edhe siç e përcakton ligji, nuk ka një afat kohor të përcaktuar saktë se kur duhet të dekretohet ose jo kryeprokurori i shtetit, por në këtë rast ne konsiderojmë se ende nuk ka kaluar ky afat dhe ende Presidentja është në kohë, është në këtë afatin e arsyeshëm kohor”, ka thënë Makshana.

Paralelisht me procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit, Ministria e Drejtësisë e ka nisur edhe nismën tjetër, atë të plotësim-ndryshimeve të ligjit për KPK-në, i cili këtij organi do t’ia ulë numrin e anëtarëve nga 13 në 7.

Kjo po vlerësohet të jetë një prej arsyeve përse Presidentja po e zvarritë procesin e dekretimit për kryeprokuror.

Gjasat mund të jenë që Presidentja do të presë që plotësim-ndryshimet të cilat kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës, të hyjnë në tërësi në fuqi.

E nëse ndodhë kështu, Makshana vlerëson se përzgjedhja e kryeprokurorit të ri do të ishte më e drejt

Lavdim Makshana – IKD

“Përzgjedhja e zotëri Blerim Isufaj si kandidat për kryeprokuror të shtetit është bërë nga një përbërje joadekuate dhe me projektligjin për Këshillin Prokurorial kjo përbërje do të ndryshoj dhe mendojmë se me përbërjen e re ndoshta do të jetë edhe një proces më i drejtë”, ka shtuar Makshana.

Plotësim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial, PDK-ja i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i Kushtetueses pritet të mos merret edhe për një kohë.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika