“Ligji i pagave nuk i rrit ato, por i nivelizon”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Ligji i Pagave është për nivelizim dhe, si i tillë, nuk duhet të prezantohet si ligj për rritje të pagave.

Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, Bislimi ka thënë se ky projektligj po vonohet, pasi duan ta përpilojnë një ligj cilësor, i cili nuk do të kthehej mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese si më parë.

“Projektligji për paga nuk është projektligj për rritje të pagave – është projektligj për paga. Nuk është mirë që publikut t’iu prezantohet si narrativë që po vjen një ligj që i rrit pagat. Është duke ardhur një ligj që i nivelizon dhe i rregullon pagat, se nuk kanë qenë të rregulluara”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai ka pohuar se do të rezultojë në rritje, po që kjo nuk e përmirëson koston e jetesës.

“A do të rezultojë në rritje? Mbase po, mirëpo nuk është projektligj për rritjen e pagave, nuk është projektligj që do t’i zgjidhë problemet e rritjes eventuale të kostos së jetesës, për arsye se projektligji për paga i rregullon vetëm pagat e 80 mijë punëtorëve, e jo të Kosovës”, shtoi Bislimi.

Ai ka theksuar se “Kosova i ka 1.8 milion banorë, 340 mijë të punësuar, vetëm 80 mijë sosh janë në administratë publike, vetëm këtë pjesë e prek projektligji për paga”.

“Kemi plan ambicioz – implementimi i planit të MSA-së nuk lë boshllëk buxhetor”

Bislimi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka një plan ambicioz për integrimin evropian të Kosovës gjatë vitit 2022, dhe për implementimin e këtij plani të zbatimit ka buxhet të mjaftueshëm.

Bislimi e ka kritikuar kuvendin e Kosovës për mosmiratimin e disa projektligjeve.

“Si Qeveri kemi vendosur plan shumë ambicioz për integrimin evropian këtë vit. Për implementimin e këtij plani të zbatimit nuk ka kurrfarë boshllëku buxhetor, andaj presim që të gjitha këto reforma të zbatohen në mënyrën e duhur dhe brenda afateve që janë të parapara në planin e veprimit”, shtoi ai.

Bislimi ka theksuar se për implementimin e planit kombëtar të zbatimit të MSA-së 2022-2026, është paraparë kosto në vlerën e 46 milionë e 11 mijë e 219 eurove.

“Pjesa më e madhe e tyre apo 25.5 milionë janë të ndara nga buxheti i Kosovës, kurse pjesa tjetër prej 20.5 milionë janë të hyra nga donatorët”, ka thënë ai.

Plani i veprimit i miratuar më nëntë mars të këtij viti përmban tri blloqe, në të cilat bëjnë pjesë kriteret politike, ekonomike dhe pjesa e tretë lidhet me përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

“Në tërësi, brenda këtij dokumenti që është afro 300 faqe, presim që të zbatohen deri në fund të vitit. Nga këto masa, 90 sosh janë legjislative, brenda këtyre masave, 41 janë projektligje të cilat presim që bashkërisht t’i hartojmë dhe miratojmë në qeveri brenda këtij viti dhe 139 janë masa zbatuese”, është shprehur Bislimi.

Lidhur me ankesën e tij drejt kuvendit për moskalimin e projektligjeve, ka reaguar kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se faji nuk qëndron te komisioni, por te pushteti.

“Fajin nuk e ka komisioni, e ka qeveria”, ka thënë ajo.

Ndryshe, të premten e një prillit, janë bërë shtatë vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, e cila është marrëveshja e parë kontraktuale midis dy palëve.

Kjo marrëveshje paraqet një fillim të ri që i hap rrugë, e përshpejton dhe e forcon procesin e integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në BE.

Me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015 kishte miratuar ligjin që e mundëson zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në ishte nënshkruar në Strasburg të Francës.

Dobitë e shumta që sjell kjo marrëveshje prekin rrafshet politike dhe ekonomike, që si rezultat do të ndikojnë në përmirësimin e institucioneve dhe në mirëqenien e qytetarëve.

Në aspektin politik, sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e Kosovës merr përsipër që të zbatojë një agjendë ambicioze të reformave, të drejtuara nga zhvillimi ekonomik, politik dhe social.

Ndërkaq, në anën tjetër, bazuar në këtë marrëveshje, BE-ja ishte zotuar që t’i mundësojë Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, në mënyrë që Kosova t’i përmbushë kriteret e anëtarësimit.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika