Kosova drejt plakjes, mosha mesatare e popullsisë pritet të arrijë 49 vjeç

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të enjten dy raporte: Projeksionet e Popullsisë për Kosovën, për herë të parë edhe në nivel të komunave deri në vitin 2060; dhe Profilet e komunave të Kosovës, ku parashihet se mosha mesatare e popullsisë në të ardhmen në Kosovë do të jetë 49 vjeç.

Avni Kastrati, drejtori ekzekutiv i ASK-së, prezantoi të dhënat e parashikimit të popullsisë, me ç’rast tha se parashihet që në vitin 2060 numri i lindjeve në Kosovë të bjerë në vetëm shtatë mijë.

“Lindjet e gjalla, nga 21.500 sa ishin në 2024 do të bien në vitin 2060 vetëm 7.000. Ky është një sinjal edhe një alarm për të gjitha institucionet, sidomos ato arsimore e në fusha të tjera. Dhe me këtë numër domethënë, këtë rënie, nevojitet domethënë një planifikim krejtësisht ndoshta i sistemit të arsimit, po edhe fushave të tjera. e, demografët apo shfrytëzuesit e tjerë, nëse e shohin një parashikim popullsie që e ka bërë Kosova në ish-sistemin atëherë, në vitin 1984, unë e kam parë një parashikim atëherë i popullsisë thotë Kosova në vitin 2020-25 do të ketë 2.8 milionë banorë rezidentë. Po flas për vitin 1984, në atë vjetar statistikorë. Demografët në atë kohë, statisticientët, e kanë parashikuar që Kosova në vitin 2020-25 do të rritet shumë, shtetet në regjion do të bien por nuk e kanë llogaritur migracionin edhe uljen e fertilitetit, se janë këta dy faktorë. Po t’i kishim thënë në vitin 1984 një demografi që Kosova do të ketë 1.6 milionë, po themi në vitin 2024, ka qenë e pabesueshme, as varianti i loë, domethënë ai i ulëti nuk e ka parashikuar, sepse parashikimet janë një, se janë disa standarde që thuhet “if” domethënë nëse, po ndërkohë domethënë nuk është parashikuar ai migracion, migracioni sigurisht ka qenë popullsia e re që ka migruar, ka ndikuar. Edhe tash kur na thotë ju ose shfrytëzuesit po themi në vitin 2060 do të ketë vetëm 7.000 lindje, është alarmante, unë nuk besoj, po duket se do të shkojmë në atë rrugë. Vdekjet, e kundërta e lindjeve për shkak, jo diçka po për shkak piramidës do ta shikojmë, ajo grupmoshat domethënë do të jenë shumë më shumë domethënë popullsi e moshuar, do të ketë 15.500 lindje, janë parashikuar”, ka thënë ai.

Kastrati, deklaroi se supozohet se në vitin 2025 apo 237 në Kosovë do të barazohet numri i lindjeve me ato të vdekjeve.

“Supozohet që në vitin 2035 apo 37, Kosova do të barazohet lindjet me vdekjet. Në vitin ’35-’37 nuk do të ketë shtim natyror domethënë Kosova, sikurse shumë shtete domethënë që janë në regjion, që do të jetë shqetësuese, po trendi është i tillë. Pritjet janë që në vitin 2035-37 Kosova mos të ketë shtim pozitiv natyror. Migrimi nga 21.000 pritet me rënë deri në 11.000, po ky është ai faktori determinues po them që do të ndikojë në këtë projeksion. Fëmijët, aktuale 2024, 345, shumë pak fëmijë pritet të ketë, rënie 66%. Mosha e punës që është vitale, gjysmë për gjysmë, gati 46%. Të moshuarit, kjo do të jetë një çështje që duhet menduar domethënë si të kujdesemi për këtë grupmosha. Grupmosha 85 plus do të rritet për 5.8 herë, për shkak të jetëgjatësisë. Kjo nuk është një risi, vendet Bashkimit Europian kanë kaluar këtë fazë, edhe në regjion, pothuajse përveç Shqipërisë, e kanë kaluar këtë fazë. Ky është trendi sipas grupmoshave dhe gjinisë që pritet në vitet e ardhshme. Plakja e popullsisë, sfida qendrore, ndryshimi i moshës 35, në vitin 2060 mendohet Kosova do t’i afrohet domethënë shteteve të Bashkimit Europian, përndryshe me sa di unë, Japonia e ka tash ekzakt 49 vite e ka moshën mesatare, por ne do të jemi 35 vite më vonë, supozojmë”, tha ai.

Idriz Shala, ekspert i GIS-it në ASK, tregoi të gjeturat kryesore nga Profili i komunave të Kosovës, ku Prishtina është komuna më e madhe dhe urbane ndërsa Dragashi komuna ndër më ruralet.

“Për profilin e komunave janë analizuar disa fusha kryesore: mënyra e jetesës (si jetojnë), banesat (ku jetojnë), niveli i kualifikimit, punësimi, papunësia, urbanizmi, transporti, qasja në shërbime publike, si dhe ndryshimet e gjendjes nga viti 2011 në vitin 2024.

Këtu kemi disa tregues kryesorë që pasqyrojnë ndryshimet. Derisa në vitin 2011 Kosova ishte 1.8 milionë banorë, tani ka rënë në 1.6, apo -10%. Derisa në vitin 2011, 38% e popullsisë ishte urbane, tani është rritur në 50.2%, apo 12% më shumë. Derisa në vitin 2011 kishim 412,000 banesa, tani është rritur në 580.000 banesa, apo 40%.

Madhësia mesatare e ekonomisë familjare ka rënë. Derisa në vitin 2011 ishte 5.9, tani është 4.3. Ndërsa personat mbi 65 vite, përqindja u rrit në afër 50%.

Prishtina është kryesisht urbane, ndërsa Dragashi ruan një karakter të theksuar rural. Prishtina është komuna më e madhe dhe më urbane. Në të njëjtën kohë, disa komuna kanë shënuar rritje të konsiderueshme të popullsisë, ndërsa të tjerat kanë regjistruar rënie të ndjeshme. Këto dallime tregojnë se planifikimet dhe politikat publike duhet të mbështeten në statistika specifike për secilën komunë.

Këtu kemi madhësinë popullative sipas komunave. Komuna më e madhe, është Prishtina, pastaj pason Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Peja e kështu me radhë. Ndërsa komunat më të vogla janë Zveçani, Ranillugu, Zubin Potoku. Në Prishtinë jetojnë rreth 14.2% e popullsisë së Kosovës, apo rreth 1 në 7 banorë të Kosovës jetojnë në Prishtinë.

Këtu kemi dendësinë e popullsisë sipas komunave. Derisa në nivel nacional kemi 147 banorë për kilometër katror. Komuna me dendësi më të lartë është Mitrovica Veriore, Fushë Kosova, Mamusha, Prishtina, Ferizaj, Prizreni e kështu me radhë. Ndërsa ato me dendësi më të vogël janë komunat Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Zveçan e të tjera”, tha ai.

Ndërsa tek papunësia, Shala theksoi se niveli më i lartë është tek femrat.

“Të dhënat tregojnë gjithashtu se papunësia është më e lartë te femrat. Fatkeqësisht te punësimi kemi vlera më negative në raport me meshkujt. Domethënë, te femrat 21.5% sesa te meshkujt 17.8%. Mbetet sfidë për t’u zvogëluar dallimi ndërmjet komunave dhe për të rritur mundësitë e punësimit, veçanërisht te gratë.

Të dhënat e tregut të punës për moshën 25 deri 64 vjeç tregojnë se shkalla e fuqisë puntore është rritur lehtë, nga 51.8% në vitin 2011 sa ishte, tani është 52.5%. Ndërkohë, papunësia ka rënë ndjeshëm, nga 40.5% në 12.7%, që paraqet një ulje prej 27.8%”, prezantoi ai.

Agon Batusha, zëvendësministër i Ministrisë e Pushtetit Lokal, tha se të dhënat e sakta janë esenciale për vendimarrje të duhur dhe kjo punë e ASK-së do ta lehtësojë punën e e kryetarëve të komunave.

“Të gjithë e dinë që pa statistika, pa të dhëna, asnjë vendimmarrje nuk është e plotë. Dhe natyrisht që pa të dhëna, ne shumë lehtë mund të marrim vendime të cilat nuk janë direkt në dobi të qytetarëve. Prandaj, të dhënat e sakta, të detajuara, janë esenciale për të marrë vendime të duhura, jo vetëm ne si qeveri, ministri, por edhe për sidomos për komunat dhe agjencitë të cilat japin shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët. Si MAPL, ne punojmë shumë me komunat dhe ne të gjithë e dimë që komunat janë, që

themi ne në zhargonin popullor, fronti i parë me qytetarët, për shkak se shumicën e shërbimeve qytetari i merr në komunë. Duke marrë parasysh dhe kompetencat të cilat i kanë kryetarët e komunave, asambletë komunale dhe në respektivisht të gjitha organet vendimmarrëse të komunave, puna pa të dhëna, pa statistika, nuk është pra e plotë. Prandaj, puna që e ka bërë Agjencia e Statistikave të Kosovës do ta lehtësojë jashtëzakonisht punën e kryetarëve të komunave dhe vendimmarrësve në nivelin lokal, që të japin shërbime dhe të planifikojnë shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Eksperti ndërkombëtar, Eduardo Jongstra tha se ndryshimet që ndodhin për shkak të migrimit janë më shqetësueset.

“Ajo që është më shqetësuese janë ndryshimet që ndodhin për shkak të lëvizjes së njerëzve. Dhe këtu kemi dy dimensione: lëvizjen lokale – urbanizimin, pra largimin nga zonat rurale drejt zonave urbane – por gjithashtu edhe lëvizjen ndërkombëtare, respektivisht migracionin ndërkombëtar. Dhe të gjithë ju e dini se Kosova është një vend migrues. Dua të them, njerëzit e Kosovës lëvizin gjatë gjithë kohës jashtë vendit dhe kthehen përsëri. Dhe ky kthimi është një pjesë shumë e rëndësishme, sepse nënkupton që ata janë regjistruar në regjistrimin e popullsisë. Mirëpo, në shumë raste, ata mund të mos kenë qenë në Kosovë për një pjesë të madhe të kohës. Kjo, natyrisht, në njëfarë mënyre i turbullon të dhënat, por ne kemi punuar me to aq mirë sa kemi mundur. Fundja, regjistrimi i popullsisë është një pamje e çastit. Ai tregon se si paraqitet situata në një moment të caktuar kohor, dhe tani, së bashku me vitin 2011, ne kemi dy momente në kohë dhe i krahasojmë ato.

Mbi të gjitha, mendoj se rezultatet që gjenden në këto profile janë mjaft të besueshme, duke marrë parasysh edhe ndryshimet politike dhe ekonomike që kanë ndodhur midis viteve 2011 dhe 2024”, tha ai.

Poashtu, eksperti tjetër, Tomas Kucera, tha se nuk mjaftojnë vetëm statistika për menaxhimin efektiv të zhvillimit, por edhe nje vizion real për zhvillimin e popullsisë.

“Nëse mbështetemi vetëm tek të dhënat e kaluara, ne nxitim supozimin se e ardhmja thjesht do të përsërisë të kaluarën. Në shoqëritë reale, kjo ndodh rrallë. Sa i përket zhvillimit të popullsisë – ndryshimet në lindshmëri (fertilitet), vdekshmëri (mortalitet), migracion dhe në strukturën e popullsisë përgjatë kohës – efektet e këtyre ndryshimeve akumulohen me kalimin e viteve. Prandaj, menaxhimi efektiv i zhvillimit kërkon jo vetëm statistika, por edhe një vizion realist për zhvillimin e ardhshëm të popullsisë. Në këtë kuptim, qëllimi i parashikimit është praktik. Ne duhet të analizojmë zhvillimin e popullsisë për ta kuptuar atë, dhe e parashikojmë atë për ta menaxhuar zhvillimin në mënyrë më efektive.

Popullsia është elementi kyç i çdo sistemi shoqëror në kuptimin më të gjerë. Asnjë sistem politik, ekonomik apo kulturor nuk ekziston pa njerëz. Njerëzit janë shfrytëzues të shërbimeve, nxënës dhe studentë, punëtorë, taksapagues, pacientë, konsumatorë, madje edhe votues, prindër, migrantë dhe të moshuar që kanë nevojë për mbështetje. Prandaj, ndryshimet në madhësinë dhe strukturën moshore të popullsisë ndikojnë në pothuajse çdo fushë kryesore të menaxhimit të zhvillimit”, u shpreh ai.

Sipas ASK-së, publikimi i këtyre raporteve të sotme përfshin 56 raporte me bazë regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2024. Këto dy publikime dallohen edhe për nga risia që sjellin, sepse për herë të parë, parashikimet e popullsisë janë realizuar edhe në nivel komune, duke plotësuar publikimin e mëparshëm në nivel vendi deri në vitin 2060./EO

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika