Kurti takon presidenten e PE-së, diskutojnë për raportet e Kosovës me BE-në

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Strasburg është mirëpritur nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, me të cilën, ka diskutuar kryesisht për raportin dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit të tyre është diskutuar edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, konkludimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nivelin e zbatueshmërisë së marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin.

Kurti e ka falënderuar Parlamentin Evropian për mbështetjen e aplikimit të Kosovës në BE dhe në Këshillin e Evropës, krahas asaj për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, duke qenë në prag të dyvjetorit të Qeverisë, kryeministri Kurti e ka njoftuar presidenten Metsola për arritjet e sukseset e deritanishme dhe planet për gjysmën e dytë të mandatit.

“Theks iu dha përmirësimeve në sundimin e ligjit, luftimit të korrupsionit dhe indikatorëve demokratikë, por edhe trendit pozitiv të indikatorëve ekonomikë të dy viteve të fundit. Ndër të tjera, këtu kryeministri Kurti përmendi edhe Raportin e Vendit të BE-së për vitin 2022, më i miri për Kosovën ndonjëherë, në të cilin evidentohet progresi i Kosovës në shumë fusha”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Gjithashtu, mes tyre është diskutuar edhe për Strategjinë e Energjisë 2022-2031, e miratuar javën e kaluar në Kuvend, dhe për qasjen e planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtritshme.

“Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës mbështetje të vazhdueshme në këtë sektor, përfshirë këtu pakon mbështetëse në përballje me krizën energjetike në vlerë prej 75 milionë euro, të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndër të tjera, në takimin e tyre është diskutuar edhe për propozimin Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara, dhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Shija e redaktorit

Tasholli: Prej 16 shtatorit, Kosova nuk do të jetë më...

Ismail Tasholli nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në një lidhje direkte në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur pas konferencës së mbajtur...

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

Të fundit nga rubrika